E rëndë! Një grua nga Durrësi rezulton e rrëmbyer, telefonata fundit:”Dua të shoh fëmijët”

35

Durrës – Nëna e dy fëmijëve të mitur rezulton e zhdukur prej 6 ditësh, ndërsa familjarët kanë ngritur alarmin se është rrëmbyer.

Vëllai i saj, Ilirjan Cauli ka treguar se motra e tij, Aureta Cauli ishte larguar nga puna ditën e hënë, ku kishte punuar vetëm 2 orë dhe më pas ishte larguar me pretendimin se kishte seancën e divorcit në Pogradec. I riu pohon e motra kishte marrë në telefon kushërirën e saj dhe e kishte njoftuar që të njoftonte nënën e saj, për t’i marrë një fëmijë nga çerdhja dhe tjetrin nga shkolla dhe më pas telefoni i saj rezultonte i fikur.

Familjarët pritën dy ditë dhe më pas denoncuan ngjarjen në polici. Vëllai thotë se ditën e enjte e motra i dërgon në aplikacionin ‘Whatsapp’, dy foto ku ajo shfaqej duke marrë serum e shtrirë në një krevat spitali. I gjendur përballë këtyre pamjeve, i vëllai është paraqitur sërish në polici, ku ka treguar edhe fotot, ndërsa ka kërkuar që të bëhet lokalizimi i motrës së tij.

Ndërkohë, ai pohon se e motra kishte marrë më vonë kushërirën në telefon dhe i kishte treguar se 4 burra e kishin rrëmbyer, ndërsa kishte kërkuar që të shihte për herë të fundit fëmijët e saj, por telefonata kishte zgjatur vetëm pak sekonda dhe më pas celulari dilte i fikur.

Mësohet se policia ka ushtruar kontrolle në banesën edhe të ish-bashkëshortit të Arietës, i cili ka pohuar se nuk kishte lidhje me zhdukjen e saj. Ndër të tjera thuhet se policia ka shkuar sot edhe në Gjykatën e Pogradecit ku ishte seanca e radhës gjyqësore për divorcin e çiftit, ndërsa nuk u gjet asnjë gjurmë nga nëna e 2 fëmijëve.