E rëndë në Tiranë, e reja nga Pakistani denoncon tentativë përdhunimi në ish Bllok

77

Një vajzë nga Pakistani e cila ka ardhur në Shqipëri për të vizituar qytetet muzeore denoncon të jetë abuzuar seksualisht në një lokal të njohur në zonën e ish Bllokut në Tiranë.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur sot se shtetasja pakistaneze M.F., 23 vjeçe e mbërritur para disa ditësh në Shqipëri, ka kallëzuar penalisht banakierin e një lokali tek ish Blloku se ka tentuar ta përdhunojë brenda këtij lokali.

Sipas denoncimit, 23 vjeçarja ka shkuar në mbrëmje me një shoqen e saj nga Pakistani, tek lokali i njohur në ish Bllok.

Pasi kanë porositur pije alkoolike, ajo thotë se është tunduar nga banakieri 30 vjeçar L.E., për të shkëmbyer një puthje.

Vajza pranon se kjo ka ndodhur me dëshirën e të dyve, por sipas saj, më tej banakieri ka avancuar duke dashur të kryejë me të, marrëdhënie seksuale, gjë që ajo thotë se ishte qartësisht kundër.

Turistja e huaj thotë se u përball me skena tentative përdhunimi dhe sipas saj, banakieri e preku në zona intime dhe u përpoq ta përdhunojë duke e shtrirë mbi një tavolinë në mjediset e brendshme të lokalit.

Në përpjekje e sipër vajza thotë se ka arritur të shkëputet nga ai dhe ka vrapuar jashtë dhe ka treguar tek shoqja e saj, gjithashtu pakistaneze, çfarë kishte ndodhur.

Së bashku kanë shkuar në drejtorinë e policisë së Tiranës dhe kanë denoncuar të riun.

Pak më vonë në lokal shkuan forca policore dhe shoqëruan të dyshuarin. Burimet policore bëjnë të ditur se e morën në pyetje dhe ai nuk e ka pranuar akuzën e vajzës se tentoi ta përdhunojë. I riu po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për akuzën e ngacmimit seksual.noa