Ballina Aktualitet E mbuluar me flamurin kuq e zi, i jepet lamtumira nëntetares Zarife...

E mbuluar me flamurin kuq e zi, i jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj

I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj e cila humbi jetën më 6 maj nga një shpërthim me minë në Letoni, ku ndodhej në kuadër të misionit të NATO-s.

E mbështjellë me flamurin shqiptar dhe në krahë të shokëve të FA, dëshmorja më e re Atdheut u përcoll me ceremoni shtetërore drejt varrezave të Dëshmorëve të Kombit ku do të prehet

Familjarë, miq por dhe personalitete të larta u nderuan para arkivolit të saj në homazhet që u mbajtën në Pallatin e Kongreseve.

“Zarifja u bashkohet sot atyre dhjetëra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, që kanë dhënë jetën për atdheun. Dhe besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta nderuar vajzën tonë, sesa duke kujtuar një të vërtetë të madhe për të gjithë ato djem e vajza, që si Zarifja zgjedhin të shërbejnë në Forcat e Armatosura. Ka një fjalë që thotë se: ata që shërbejnë në FA janë njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi i tyre ndaj uniformës dhe gatishmëria për të sakrifikuar. Sepse në kohë lufte e në kohë paqeje, të shërbesh do të thotë të pranosh rrezikun dhe sakrificën personale, edhe sakrificën supreme, për të mirën e përgjithshme: që të jetojmë në paqe, që të jetojmë të sigurt, që të meritojmë vendin tonë si aleat në aleancën më të madhe ushtarake të të gjithë kohëve. Për të shërbyer në FA, sidomos në një kompani si EOD, ku shërbente nëntetarja Hasanaj, ku praktikisht të duhet të përballesh çdo ditë me rrezikun, nevojiten djem e vajza të një prerje të veçantë, speciale. Më të mirët! Djem e vajza që nga momenti që veshin uniformën e dinë, që një ditë mund t’u duhet të rrezikojnë jetën e tyre për Atdheun,” – u shpreh ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka.

Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera, kryeministri Edi Rama u shpreh: “Tanimë i përket të githë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe emrin shqiptar.”

Dita e sotme, me vendim të Këshillit të Ministrave, është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të nëntetares Zarife Hasanaj. Sipas këtij vendimi, në të gjitha institucionet shtetërore flamujt ulen në gjysmështizë dhe në orën 12:00 u mbajt një minutë heshtje.