E masakruan me thikë dhe e lanë pranë varrezave, bëhet i ditur identiteti i viktimës në Elbasan

30

Një ngjarje tjetër e rëndë raportohet nga Elbasani ku mbrëmjen e djeshme ka humbur jetën një tjetër person.

Ai është identifikuar si Regis Runaj, shok i ngushtë i Emiljano Ramazanit. I riu vetëm 23 vjeç u gjend i vdekur pranë varrezave në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

Mendohet se për ekzekutimin e tij është përdorur një thikë. Autorët pas vrasjes e kanë çuar atë buzë rrugës afër varrezave. Megjithatë i riu u gjend i gjallë, por ndërroi jetë rrugës për në spital.

Policia bëri me dije se ka një autor të dyshuar, por nuk ka informacione mbi vendndodhjen e tij.

Vrasja e 23 vjeçarit vjen pas vrasjes së shokut të tij të ngushtë Emiljano Ramazanit më 20 Korrik. Ramazani u qëllua me pesë plumba, brenda në makinë, teksa ndodhej në vendin e njohur si “Rrethrrotullimi i luleve”.

Dyshimet mbi Ramazanin ishin se ai u vra për pazare droge.

Njoftimi i plotë:

Rreth orës  22:10, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan,  në rrethana ende të paqarta në një rrugicë të kësaj lagjeje  është gjetur  shtetasi R.R., 23 vjeç  i plagosur me mjet të mprehtë (thikë), i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Elbasan, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe aktualisht vijon krehja e zonës për kapjen e autorit/ëve

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke punuar  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes  me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.