Dy persona kapen me kokainë e 8 mijë paund, policia jep detaje

28

Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, si dhe sekuestrohen 8 mijë paund, të cilat dyshohen se janë produkt i veprës penale.

Pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, policia e Beratit bëri arrestimin në flagrancë të 58-vjeçarit A. Z., 58 vjeç, banues në Berat.

Uniformat blu, në vendin e quajtur “Çiflik”, gjatë kontrollit të mjetit me drejtues shtetasin A. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë dhe një thikë.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën dhe në magazinën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan 11.25 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 73.5 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë dhe sasi monetare në paund dhe euro, të dyshuara të falsifikuara.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikim i monedhave”, “Mbajtja e armëve të ftohta”.

Ndërkohë shërbimet e policisë Berat, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin F. D., gjetën 8000 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera. u procedua penalisht shtetasi F. D., për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.