Dy djemtë dhe nëna nga Kopliku vrasin me plumb në kokë efektivin malazez në makinën e policisë, shkëmbim zjarri edhe në kufirin kroat

0
3

Një familje shqiptare nga Malësia e Madhe(qyteti i Koplikut), nëna 67-vjeçare dhe dy djemtë e saj, njëri prej të cilëve në kërkim nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasje, u arrestuan nga policia malazeze për vrasjen e një efektivi të policisë. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Igalo në afërsi të qytetit Herceg Novi rreth 5 km larg kufirit kroat, ku sipas hetimeve paraprake, policin e ka qëlluar me një plumb në kokë një nga djemtë e të moshuarës, Luan Hasanaj 43 vjeç.

Nëna, Nure Hasanaj dhe dy djemtë Luan dhe Lulëzim Hasanaj 49 vjeç, dyshohet të kenë kaluar në këmbë kufirin nga Kosova për në Mal të Zi. Ata janë ndaluar nga autoritetet e kufirit për shkak se ishin pa dokumente identifikimi, ndërsa në momentin e ndalimit kanë thënë se janë nga Kosova. Të tre janë marrë me një makinë policie për t’u shoqëruar në komisariatin e Policisë së Herceg Novit. Në këtë moment, rreth 5 kilometra nga kufiri kroat, Luan Hasanaj ka nxjerrë nga një qese, të cilën e mbante në dorë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në kokë policin që ishte në makinë, 41- vjeçarin Millutin Lekoviq, malazez, i cili ndërroi jetë në spitalin e Risanit. Të tre shqiptarët ishin të ulur në pjesën e pasme të makinës së policisë, prej nga Luan Hasanaj qëlloi me një plumb në kokë efektivin nga Mali i Zi.