Ballina OPINION DW, përçarjet e qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për raport-progresin

DW, përçarjet e qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për raport-progresin

Opozita dhe qeveria në Shqipëri kanë qëndrime të kundërta për raport-progresin e KE. Qeveria e pret me entuziazëm, ndërsa opozita me skepticizëm.

Rekomandimi pozitiv, pa kushte, i Komisionit Europian, (KE) të mërkurën (29.05.2019), drejtuar Këshillit Europian të BE, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, është pritur me entuziazëm nga qeveria dhe skeptizicëm nga opozita, e cila parashikon madje refuzimin. Ky është i treti rekomandim që jep për Shqipërië KE, duke filluar nga viti 2017.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca, e konsideroi të mërkurën rekomandimin e këtij viti, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, “një gur kilometrik shumë të rëndësishëm, të arritur nga Shqipëria”. Për Ramën, KE dha rekomandimin ngaqë “Shqipëria ka bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë. Komisioni ka konfirmuar progres dhe bazuar në fakte, shifra dhe analiza ka rekomanduar përsëri hapjen zyrtare të negociatave,” tha kryemnistri në konferencën për shtyp.

Por opozita jashtë sistemit politik, që hoqi dorë nga mandatet parlamentare në shkurtin e kaluar dhe që atëhere vazhdon protestat në rrugë dhe sheshe për të larguar kryeministrin Rama dhe rrëzuar qeverinë e tij, të akuzuar prej saj për korrupsion dhe lidhje me krimin, mendon ndryshe.

Berisha, ish-lideri i Partisë Demokratike, (PD) shkruan në median sociale se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara. Këshilli Europian do të votojë për hapjen e negociatave kur ato të plotësohen, diku nga fundi i vitit 2020, për të mos thënë edhe më vonë”.

Ndërsa Basha, lideri aktual i PD, shprehu të mërkurën bindjen se “Këshilli Europian do të votojë në qershor për moshapjen e negociatave me Shqipërinë.”

” Ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane,” tha Basha.

Të njëjtin qëndim mban edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI),  që është bashkuar me të djathtën opozitare. Klajda Gjosha, ish-deputete e kësaj partie dhe ish-ministre e Integrimit Europian, vuri në dukje se “sot për sot janë katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër”.

Pollo – BE fiksim në stabilitetin rajonal, pa kritika konstruktive

Por opozita jashtë parlamentare nuk ka një qëndrim „en block” ndaj rekomandimit dhe parashikimit negativ për vendimin e Këshillit Europian. Genc Pollo, ish-deputet i PD, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, tha për DW se shpreson që kësaj here negociatat të hapen.

“Shpresoj të jetë e treta, e vërteta dhe BE t’i përgjigjet rekomandimit me një vendim pozitiv”. Procesi i negociatave mund të jetë një ndihmë e vyer për të kapërcyer situatën tejet  të rënduar me kapjen e shtetit, me mpleksjen e qeveritarëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, tha për DW, Genc Pollo.

Ai kritikoi BE që nuk ka ndihmuar me politikat e tij në 5 vitet e fundit që situata aktuale në Shqipëri të mos jetë aktualisht kaq e përkeqësuar. “Nëse BE, në pesë vitet e shkuara nuk do të kishte fiksim tek stabiliteti rajonal i garantuar nga ” të fortët” apo tek një reformë e vetme  komplekse, por tek të pesta prioritetet dhe kriteret e Kopenhagen-it  si dhe të bënte kritika konstruktuve në nivelin e atyre të deri  2013-ës, kjo do të kishte qënë  një ndihmë e vyer për Shqipërinë Europiane dhe situata nuk do të ishte përkeqësuar kaq shumë”, tha Genc Pollo për DW.

Apel partive politike – kaloni përtej ndasive partiake

Vendimi i Këshillit Europian në qershor, për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazohet në analizën e Progres Raportit 2019 dhe diskutimet e vendeve anëtare, një procedurë kjo për ҫdo vend kandidat për anëtarësim.

”Tre javët në vijim të diskutimeve do të jenë kyҫe. Çdo shtet anëtar duhet të jetë plotësisht i bindur dhe ҫdo shtet anëtar ka procesin e vet të vendim-marrjes për këtë ҫështje. Shqipëria ka nevojë për një konsensus kombëtar për prioritetin madhor të integrimit europian duke tejkaluar kështu polarizimimin, treguar vullnet të fortë politik për të qënë të bashkuar në objektivin e integrimit europian dhe kaluar përtej polarizimit dhe ndasive partiake”, tha ambasadori i BE, në Tiranë, Soreca.

Në të njëjtën linjë me ambasadorin  Soreca, edhe Kryemnistri Rama i bëri thirrje Bashës dhe “opozitës që është në rrugë” të ndryshojnë qëndrim. “Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e rradhës. Është mirë të mos furnizojnë ata që mund të jenë të lëkundur apo në kërkim të arësyeve për të thënë “jo” me pamje të gënjeshtërta protestash partiake nga Tirana, protestash që nuk janë popullore, që nuk pasqyrojnë realitetin,” tha të mërkurën kryeministri Rama.

Opozita ka paralajmëruar të zhvillojë protestën kombëtare  antiqeveritare të rradhës këtë javë, të shtunën më 31 maj.