Durrsaku mashtrohet nga dy të rinjtë, në pranga edhe një vajzë në Golem, detajet

96

Një person nga Durrësi ka mbetur viktimë e mashtrimit pasi bleu një makinë nga dy djem. Këta persona e kishin marrë me qira makinën, por e shitën atë pa e kthyer te kompania e marrjes me qira.

Njëri prej tyre përfundoi në pranga, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim. Personi nga Durrësi që bleu makinën po procedohet penalisht nga policia. 

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. Sh., 20 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi D. Q., 26 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marr me qira, mjetin tip “Volksëagen” dhe më pas ia kanë shitur në qytetin e Durrësit, shtetasit E. H.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi E. H., për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Nga shërbimet e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Xh. H., 20 vjeçe, pasi në Golem, u konstatua duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u kap dhe u ndalua shtetasja A. P., 37 vjeçe, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kapur dhe ndaluar shtetasin P. GJ., 40 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Përndjekja” dhe “Dhuna në familje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.