Ballina Aktualitet Durrës, zjarr në katin e shtatë të një pallati në Currila, nuk...

Durrës, zjarr në katin e shtatë të një pallati në Currila, nuk ka viktima (VIDEO)

Një apartament në katin e shtatë të një pallati në zonën e Currilave, në Durrës, është djegur plotësisht gjatë natës së mbrëmshme, duke sjellë panik tek të gjithë banorët e tij. Zjarri i përmasave të mëdha është vënë re rreth mesnatës dhe për ta shuar atë u deshën disa orë pune dhe ndërhyrja e pesë mjeteve zjarrfikëse.

Zjarri nuk shkaktoi viktima, por vetëm dëme materiale në apartamentin që u përfshi nga flakët. Ndërkohë, disa banorë të tjerë të pallatit shfaqën probleme të frymëmarrjes për shkak të pranisë së tymit. Këta të fundit morën ndihmën e nevojshme në Spitalin Rajonal.

Hetimet paraprake të specialistëve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit kanë konkluduar se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë e krijuar nga një dyshek elektrik defektoz.

Tymi dhe flakët që dilnin nga apartamenti kanë bllokuar daljen e banorëve në katet e mësipërme. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shkallë për të bërë të munduar evakuimin e tyre. Rreth 20 banorë janë evakuuar në këtë mënyrë, ku 10 prej tyre kanë shfaqur edhe shenja asfiksie. Shqetësime kanë shfaqur edhe katër punonjës të PMNZSH.

Në fund, pas disa orësh punë, zjarri është shuar tërësisht, duke mos shënuar asnjë viktimë.