Ballina Aktualitet Durrës, zhvillimi i qëndrueshëm në optikën e studentëve të Fakultetit të Biznesit...

Durrës, zhvillimi i qëndrueshëm në optikën e studentëve të Fakultetit të Biznesit të Universitetit “A. Moisiu”

Studentët e Fakultetit të Biznesit, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, kanë organizuar konferencën shkencore studentore, në fokus të së cilës ishin sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe perspektivat e integrimit në Bashkimin Evropian.

Dhjetra studentë janë bërë pjesë e këtij takimi shkencor me punimet e tyre, takim ky që këtë vit kishte edicionin e tij të dhjetë.

Gjatë përgatitjeve për organizimin e konferencës shkencore studentore, krahas familjarizimit me teknikat e kërkimit shkencor, studentët janë bërë pjesë edhe e seminareve paraprake sa i përket konsolidimit të aftësive të tyre prezantuese, të debatimit të ideve dhe nxjerrjes së përfundimeve.

Konferenca është vlerësuar edhe nga trupa e pedagogëve, në emër të të cilëve përshëndeti Prof. Asoc. Azeta Tartaraj, dekania e Fakultetit të Biznesit. Teksa ka sjellë në vëmendje rrugën e gjatë nëpër të cilën ka ecur dhe është zhvilluar konferenca shkencore e studentëve të Fakultetit të Biznesit, Tartaraj ka nënvizuar faktin se studentët janë e ardhmja e vendit. “Organizimi i konferencave të tilla u bën edhe ju pjesë e debatit të përgjithshëm shkencor për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet ekonomia e vendit,” – ka theksuar Tartaraj.

Për të ndjekur prezantimin e përpjekjeve shkencore të studentëve ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, përfshirë edhe rektoren Kseanela Sotirofski. Kjo e fundit, duke përgëzuar studentët për organizimin e konferencës, theksoi se përpjekje të tilla rrisin edhe më tepër rolin e tyre në konsolidimin e vetë Universitetit të Durrësit.