Ballina Aktualitet Durrës, vjen vera, të gjithë drejt plazheve, rëndohet trafiku në autostradë

Durrës, vjen vera, të gjithë drejt plazheve, rëndohet trafiku në autostradë

Të lodhur nga moti i ftohtë dhe me reshje shiu që na shoqëroi për një kohë të gjatë, të gjithë mezi kanë pritur diellin e kësaj fundjave për t’iu drejtuar bregdetit të Durrësit, aq sa u shfaqën edhe probleme sa i përket trafikut në autostradën Durrës-Tiranë.

Për herë të parë në këtë sezon veror, plazhi tradicional i Durrësit edhe bregdeti i Currilave ishin plot me njerëz. Gjasat janë që plazhistë të shumtë i ishin drejtuar edhe bregdetit në Gjirin e Lalëzit, veçanërisht nga Tirana.

Mesdita shënoi edhe probleme në autostradën Tiranë-Durrës, kryesisht në zonën e Maminasit, ku gjendet edhe degëzimi në drejtim të plazheve të Gjirit të Lalëzit. Trafik i rënduar u regjistrua edhe në hyrje të Durrësit, në daljen e autostradës në drejtim të plazhit.

E njëjta situatë, por në drejtim të kundërt, pritet të përsëritet pasdite vonë, kur pushuesit ditorë të largohen drejt Tiranës.

Kjo fundjavë është e para, ku me të vërtetë mund të themi se tani vera erdhi. Dielli dhe temperaturat e larta, tipike këto të javës së dytë të muajit qershor, kishin munguar prej kohësh për shkak të reshjeve të tejzgjatura.