Ballina KULTURË Durrës, vjen bienalja Netët e Muzikës Klasike, marrin pjesë edhe Inva Mula...

Durrës, vjen bienalja Netët e Muzikës Klasike, marrin pjesë edhe Inva Mula e Genc Tukiçi

Violinisti i mirënjohur durrsak Florian Vlashi dhe grupi instrumental që ai vetë ka themeluar dhe drejton Shekulli XX rikthehen në qytetin bregdetar për të organizuar bienalen Netët e Muzikës Klasike, një eveniment artistik ky që fillesat i ka në vitin 2003.

Të ftuarit e veçantë të këtij edicioni, i cili do të zhvillohet në Durrës nga data 1 gusht deri më 7 gusht, do të jenë sopranoja e mirënjohur Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi.

Që prej vitit 1992, violinisti Florian Vlashi jeton dhe punon në Spanjë, por ai kurrë nuk harron të kthehet në vendlindje, për të ruajtur traditën e aktivitetit që ai vetë inicioi në vitin 2003.

Netët e Muzikës Klasike ndërthur interpretimin e pjesëve nga autorë të huaj dhe ata shqiptarë. Për edicionin e këtij viti, Vlashi shpjegon se “në natën e muzikës shqiptare do të interpretohen vepra nga Zacharian, Simaku, Shehu, Sina, Radoja, Buharaja, Bajraktari etj.” Ndërkohë, padyshim që do interpretohen edhe vepra nga Haydn, Mozart, Bethoven etj.

Pjesë e interpretuesve në Netët e Muzikës Klasike do të jenë formacioni i solistëve nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli, trioja e artistëve të rinj nën drejtimin e vetë violinistit Florian Vlashi, grupi instrumental Shekulli XX etj. Edhe këtë edicion, Netët e Muzikës Klasike do të përfshijnë edhe konkursin për instrumentisët e tij, ku fituesi do të ketë mundësinë të performojë në disa koncerte që do të organizohen në Spanjë.