Ballina Aktualitet Durrës, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, projekti “Veliera” do të zbatohet...

Durrës, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, projekti “Veliera” do të zbatohet (VIDEO)

Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur sot t’i hapë rrugë punimeve për përfundimin e plotë të projektit “Veliera”, në qytetin e Durrësit. Pak kohë më parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë kishte vendosur pezullimin e punimeve, pas ankesave nga shoqëria civile se zbatimi i projektit do të dëmtonte gjurmë të trashëgimisë kulturore-historike. Gjykata Administrative e Apelit ka prishur vendimin e mëparshëm dhe ka pushuar çeshtjen në tërësi, duke i hapur kështu rrugë punimeve.

Projekti “Veliera”, në thelb, parashikon ndërtimin e një sheshi në fund të Bulevardit “Epidamn”, pranë hyrjes qëndrore të portit. Qarkullimi i automjeteve do të kryhet nëpërmjet një nënkalimi, ndërkohë që mbi shesh do të ngrihet edhe një tendë, me sipërfaqe 2400 metra katrorë, e cila simbolizon velat e anijeve të dikurshme dhe lidhjen e qytetit me detin.

Punimet ishin bllokuar që prej muajit shkurt të vitit të kaluar, për shkak të objekteve arkeologjike të zbuluara nga gërmimet për hapjen e themeleve të objektit. Organizata të ndryshme të shoqërisë civile kundërshtuan fort dëmtimin e trashëgimisë kulturore dhe kërkuan pezullimin e projektit, por tani Gjykata Administrative e Apelit ka hedhur poshtë pretendimet e tyre.

Zbatimi i projektit nisi në fillim të vitit 2017 dhe fondi i akorduar nga Bashkia e Durrësit dhe buxheti i shtetit ishte rreth 6 milionë dollarë.