Ballina Aktualitet Durrës, thellimi i basenit dhe i kanalit hyrës të portit do të...

Durrës, thellimi i basenit dhe i kanalit hyrës të portit do të mundësojë ankorimin e anijeve të mëdha (VIDEO)

Projekti për thellimin e basenit dhe të kanalit hyrës të Portit të Durrësit pritet të realizohet brenda këtij viti, duke mundësuar kështu ankorimin e anijeve edhe më të mëdha tregtare. Thellësia mesatare aktuale e basenit të portit pranë kalatave është rreth 8 metra, ndërkohë që, pas thellimit, ajo do të arrijë deri në afro 11 metra. Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Portit të Durrësit, Agron Tare, thekson se zbatimi i këtij projekti mbetet një nga prioritetet e këtij viti.

Kërkesa për thellimin e basenit dhe të kanalit hyrës të Portit të Durrësit ka kohë që është parashtruar nga komuniteti i biznesit, pasi, shpesh, ata detyrohen që eksportin apo importin e mallrave ta kryejnë në sasi të vogla. Kjo gjë kufizon shumë hyrjen në tregjet e mëdha dhe fitimprurëse të Afrikës dhe të Azisë. Nga ana tjetër, Porti i Durrësit, pavarësisht pozicionit shumë të favorshëm gjeografik, nuk shndërrohet dot në portin e gjithë Ballkanit për shkak se nuk mirëpret dot anijet e mëdha tregtare.

Për thellimin e basenit dhe të kanalit hyrës të Portit të Durrësit është vënë në dispozicion një fond prej më shumë se 8 milionë euro.