Ballina Aktualitet Durrës, takimi i Bashës me qytetarët: Jo teatër në kurriz të shqiptarëve

Durrës, takimi i Bashës me qytetarët: Jo teatër në kurriz të shqiptarëve

Edhe pse kryeministri Edi Rama e ftoi publikisht në dialog pa kushte, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi nga Durrësi se largimi i Ramës është një hap i panegociueshëm që do t’i hapte rrugë zgjidhjes së krizës politike. Basha tha se opozita që ai drejton nuk do të pranojë teatër në kurriz të shqiptarëve.

“Ne nuk pranojmë teatër në kurriz të shqiptarëve, – tha lideri demokrat Lulzim Basha. – Ai i ka kapur të gjitha, por sot populli është i bashkuar për t’i dhënë fund këtij teatri që i kushton vendit shumë. Për ju është kjo betejë vëllezër dhe për ju do të jetë fitorja, që kurrë më Shqipëria të mos bjerë në duart e vetëm një njeriu dhe qeveria të mos jetë peng e kriminelëve. Largimi i Ramës është hapi i parë i panegociueshëm që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike të krizës.”

Basha shprehu bindjen se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje vendore, por theksoi se, nëse ndodh e kundërta, shqiptarët do të hyjnë në çdo qendër votimi për të mos ndaluar kapjen e zgjedhjeve.