Ballina Showbiz Durrës, studentët fundjavë mes trashëgimisë kulturore

Durrës, studentët fundjavë mes trashëgimisë kulturore

Sajtet e trashëgimisë kulturore në këto ditë nëntori po kthehen në destinacione mjaft të preferuara për t’u vizituar nga të rinjtë dhe studentët. Kjo për shkak dhe të promovimit që po i bëhet këtyre aseteve mjaft të veçanta të vendit tonë nga institucionet përkatëse.
Një fundjavë ndryshe, kaluan një grup të rinjsh studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, të cilët vendosën t ‘ia kushtonin fundjavën njohjes së trashëgimisë kulturore arkeologjike dhe historike të qytetit ku aktualisht po jetojnë e studiojnë. Studentët e mbushën në mënyrë produktive fundjavën e tyre duke njohur historinë me biseda, pyetje, diskutime, informim dhe reflektim.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit tashmë është kthyer në një destinacion për çdo grupmoshë, pasi ky muze mbart thesare që japin shumë dituri mbi jetën në botën antike apo mesjetare dhe kjo e bën atë një pikë turistike mjaft të veçantë, pasi vizitorët shohin dhe prekin nga afër objekte me vlera të shumta historike dhe kulturore.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës.