Ballina Aktualitet Durrës, studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” i bashkohen protestës në Tiranë

Durrës, studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” i bashkohen protestës në Tiranë

Qindra studentë të Univeristetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, kanë shprehur sot mbështetjen e tyre të fortë për protestën para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Që në mëngjes, të mbledhur tek kampusi universitar në Spitallë, me parrulla të ndryshme në duar dhe me thirrjet për plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë, studentët i janë drejtuar Tiranës, për t’u bashkuar me bashkëmoshatarët e tyre.

Protesta e studentëve nisi para një jave për shkak të tarifave tejet të larta të provimeve të mbatura. Me ngjizjen e protestës, kërkesat e studentëve protestues kanë marrë formë më të plotë. Ata tashmë kërkojnë përgjysmimin e tarifave të studimit, mundësinë e pagesës me këste të tarifës së studimit, rritjen e buxhetit të universiteteve për kërkimin shkencor, shtimin e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte, rritjen e përfaqësimit të studentëve në të gjitha organet vendimmarrëve në universitete, zbatimin e lehtësirave që atyre u njihen me ligj nga pajisja me kartën e studentit etj.

Iniciatorë të protestës ishin studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, ndërkohë që tani ajo ka marrë formën e një lëvizje studentore mbarëkombëtare, pasi asaj i janë bashkuar studentët e të gjitha universiteteve publike.

Sot, siç edhe ishte parashikuar nga thirrjet e shumta në rrjetet sociale, protestës i janë bashkuar edhe studentët e universiteteve publike jashtë Tiranës. Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, kanë marrë kështu rrugën për të ngritur dhe bashkuar zërin e tyre me mijëra studentë të tjerë në kryeqytet.