Ballina Aktualitet Durrës, studentët e Universitetit “A. Moisiu” në konkursin e ideve të biznesit...

Durrës, studentët e Universitetit “A. Moisiu” në konkursin e ideve të biznesit (VIDEO)

Konkursi i ideve të reja të biznesit, një konkurs ky i organizuar nga Departamenti i Menaxhimit të Fakultetit të Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, dhe që këtë vit pati edicionin e tij të tretë, është bërë dëshmi e misionit të universitetit për të ndihmuar zhvillimin e shoqërisë. Trupa akademike e Departamentit të Menaxhimit, me asistencën dhe këshillat që ofron, ka marrë formën e një inkubatori për nxitjen e studentëve që të vënë në jetë idetë e tyre të biznesit. Ky konkurs, i hapur për të gjithë studentët, kaloi në disa etapa, dhe në fazën finale u prezantuan para jurisë 10 projektet më të mira. Juria vlerësoi idenë, planin e biznesit, studimin e tregut, burimin e financimit për realizimin e projektit etj.

Përgjegjësja e Departamentit të Menaxhimit në Universitetin e Durrësit, Olta Nexhipi, nënvizon traditën e mirë që organizimi i këtij konkursi ka krijuar, duke vënë theksin tek nxitja e iniciatës së studentëve për të bërë biznes.

Mbi të gjitha, konkursi është edhe konkretizimi i përpjekjeve të kahershme të Departamentit të Menaxhimit për t’u shndërruar në inkubator të ideve të biznesit, në një qendër të specializuar këshilli dhe asistimi për biznesmenët e së ardhmes.

Në përfundim të fazës finale, juria shpalli fitues projektin “Profesionisti”, projekt ky i përgatitur nga studentët Rustem Selimaj, Xhorxhina Musaku, Megi Mane, Ornela Hasa dhe Merjeme Xhurxhi, ndërkohë që në vend të dytë doli projekti “Equality Trans” dhe në vend të tretë projekti “Zgjidh Një Libër”.

Të pranishëm në fazën finale të konkursit ishin edhe drejtuesit e Fakultetit të Biznesit dhe të vetë Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.