Ballina Aktualitet Durrës, rrethohet vendgrumbullimi i plehrave në Porto Romano

Durrës, rrethohet vendgrumbullimi i plehrave në Porto Romano

Në vendgrumbullimin e plehrave në Porto-Romano, bashkia e Durrësit ka filluar punën për rrethimin e tij.

Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto, bëri të ditur se “po punohet për rrethimin e vendgrumbullimit të plehrave që të mos ketë më raste të rënies së zjarrit dhe të mos futen njerëzit dhe kafshët”.

“Pas urdhrit të parë të zëvendësministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtuar institucioneve në varësi në nivel lokal për disiplinimin e mbetjeve urbane në vendgrumbullime, janë marrë masa që të mos përsëriten më ngjarje të tilla”, theksoi Nasto.

Prefekti Naso u shpreh se po punohet me rimte të shpejta që të mbarojë sa më shpejt rrethimi i kësaj zone.

Pesë muaj nga shpallja e emergjencës mjedisore në Porto Romano tashmë kanë filluar ndërhyrjet e para dhe institucionet vendore janë vënë në punë për të pastruar kanalet e tejmbushura nga mbeturinat me qëllim minimizimin e nivelit të ndotjes.

Ndërsa disa ditë më parë kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, sqaroi opinionin publik në lidhje me hapat që po ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të mbetjeve në zonën e Porto Romanos në bashkinë Durrës.

“Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë bashkia dhe ato që do të mbulojë qeveria. Gjithashtu paralel me këtë proces, po hartohet dhe projekti i cili e kthen zonën e Porto Romanos, në një park të gjelbëruar për qytetin”, tha Dako.

Ai sqaroi se “Bashkia Durrës është në mes të një procesi për zgjidhjen e problemit ku rolin kyç e ka qeveria shqiptare. Ky proces do të finalizohet me pastrimin përfundimtar të vendgrumbullimit të mbetjeve dhe kthimin e Porto Romanos në park”.