Aktualitet LAJME Lajmi i Fundit SLIDER 1 Sociale

Durrës, provimet e Maturës Shtetërore, Leka: Infrastruktura është në gadishmëri të plotë (VIDEO)

Më shumë se 16 mijë maturantë në gjithë rajonin e Durrësit, i cili tashmë shtrihet nga Peshkopia deri në Rrogozhinë, do të ulen nesër në provimin e parë të Maturës Shtetërore. Valentina Leka, drejtoresha e Zyrës Arsimore Rajonale të Durrësit, shpjegon se provimi do të zhvillohet në 72 qendra të ndryshme, infrastruktura e të cilave është gati për të pritur nxënësit.

“Ne jemi gati, gjithçka është gati, e gjithë infrastruktura është në gadishmëri për provimin e parë nesër dhe për provimet e tjera, – thotë Leka. – Krahas masave të marra nga vetë ne, drejtuesit në nivel vendor e rajonal, dhe të gjithë mësuesit e përfshirë në proces, kemi të garantuar edhe mbështetjen e institucioneve të tjera, si Policia e Shtetit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, spitalet dhe qendrat shëndetësore.”

Provimi i parë, ai i gjuhës së huaj, fillon nesër në orën 10:00, dhe në gjithë rajonin e Durrësit janë bërë gati 72 qendrat ku do të zhvillohet testimi.

Valentina Leka, drejtoresha e Zyrës Arsimore Rajonale të Durrësit, nënvizon gjithashtu edhe faktin se maturantët janë njohur që herët edhe me ndryshimet që Matura Shtetërore mbart këtë vit.

Teksa ka dhënë edhe urimin e saj për gjithë maturantët që nesër nisin provimet e Maturës Shtetërore, drejtoresha e Zyrës Arsimore Rajonale të Durrësit nënvizon edhe riorganizimin e institucioneve vendore të arsimit parauniversitar, ku i gjithë vendi është ndarë në katër rajone dhe secili rajon drejtohet nga një zyrë e veçantë, e cila përfshin të gjitha zyrat vendore. “Në bazë të riorganizimit, i kryer me vendim të Këshillit të Ministrave, rajoni i Durrësit shtrihet nga Peshkopia deri në Rrogozhinë, ku përfshihen 12 zyra arsimore vendore,” – sqaron Leka.

Zyrat arsimore vendore të rajonit të Durrësit shtrihen në Tiranë, Durrës, Dibër, Krujë, Kamzë, Bulqizë, Mat, Klos, Shijak, Kavajë, Vorë dhe Rrogozhinë.

admin

Shto nje Koment

Klikoni këtu për të postuar një koment