Ballina Aktualitet Durrës, protesta e studentëve, Universiteti “A. Moisiu” mbështet kërkesat e tyre

Durrës, protesta e studentëve, Universiteti “A. Moisiu” mbështet kërkesat e tyre

Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka bërë të njohur sot qëndrimin e vet zyrtar në mbështetje të kërkesave të studentëve protestues. Me anë të një vendimi të veçantë, Senati Akademik i Universitetit “A. Moisiu” i ka kërkuar Bordit të Administrimit ndërmarrjen e një studimi të posaçëm me qëllim uljen e tarifave të ndryshme të studimit.

Në bazë të kuadrit aktual ligjor që rregullon funksionimin e institucioneve publike të arsimit të lartë, organet akademike të universiteteve janë të ndara nga ato që rregullojnë anën financiare. Universitetet gëzojnë autonominë e tyre të brendshme, por ajo shtrihet deri tek çështjet akademike. Autoritetet drejtuese akademike, siç janë rektorët, senatet akademike, këshillat e profesorëve, dekanët, dekanatet, përgjegjësit e departamenteve etj., zgjidhen nga trupa akademike dhe studentore. Por, të drejtat e tyre nuk shkojnë përtej çështjeve që lidhen me kurrikulat, programet e studimit, kërkimin shkencor, oraret etj.

Sipas kuadrit ligjor, universitetet publike tashmë kanë bordet e tyre të administrimit, borde këto që janë krejtësisht të ndara nga autoritetet akademike dhe që krijohen nga qeveria, pasi është pikërisht kjo e fundit që akordon edhe buxhetet e universiteteve. Në këto kushte, çfarëdolloj tarife që studentët paguajnë për çfarëdolloj shërbimi që marrin vendoset nga bordet e administrimit.

Kjo është edhe arsyeja që Senati Akademik i Universitetit “A. Moisiu” i ka kërkuar Bordit të Administrimit që të nxjerrë koston në buxhet për të parë mundësinë e përgjysmimit të tarifave të studimit. Njëkohësisht, Senati Akademik ka kërkuar edhe heqjen e menjëhershme të çdo pagese shtesë nga ana e studentëve për tërheqjen e vërtetimeve apo dokumentave të tjera nga njësitë e universitetit.

Nga ana tjetër, në përgjigje të kërkesave të studentëve protestues, Senati Akademik i Universitetit “A. Moisiu” ka kërkuar edhe përfshirjen e vazhdueshme të studentëve në kërkim shkencor dhe në diskutimet për buxhetin e ardhshëm të universitetit.

Dy ditë më parë, një vendim të ngjashëm e mori edhe Senati Akademik i Universitetit të Arteve, në Tiranë.