Ballina Ekonomi / Biznes Durrës, projekt për përmirësimin e logjistikës në port

Durrës, projekt për përmirësimin e logjistikës në port

Porti i Durrësit dhe Instituti i Transportit në Shqipëri janë partnerët shqiptarë që së bashku me gjashtë qytete port të Europës, si dhe me partnerë të tjerë, kanë bashkuar forcat për të përmirësuar logjistikën në lidhje me lundrimin dhe planifikimin e transportit.

Përfaqësuesit e Autoritetit Portual organizuan sot në Sallën e Këshillit Bashkiak të Durrësit takimin e radhës në kuadër të Projektit LOCATIONS: ”Low Carbon Transport in Cruise Destination Cities”.

Turizmi me Kroçera është një sektor i ri në Shqipëri. Portet më të zhvilluara për kroçerat ose anijet turistike janë Durrësi, Vlora dhe Saranda.

Sipas të dhënave nga Sektori i Projekteve në APD, Porti i Durrësit përfaqëson portën kryesore për hyrje-daljen nga Shqipëria, dhe ngarkesa e trafikut të tij krijohet kryesisht nga vendet Mesdhetare. Projekti Locations po punon për krijimin e një metodologjie të dedikuar zhvillimi dhe testimi për t’iu përgjigjur nevojave individuale të identifikuara në qytet-portet e përfshira.

Synohet të përcaktohen paketa masash që do të kontribuojnë në vizibilitetin e trafikut në zonat urbane dhe reduktimin e ndotjes në mjedis, paketa të projektuara për tu transferuar lehtë në qytetet porte të tjera të zonës së Mesdheut-nënvizon Sektori i Projekteve.

Gjatë Takimit u shfaqen dokumentare dhe materiale të përgatitura nga sektori i Projekteve ne APD.

Projekti LOCATIONS, financuar përmes Fondit Evropian të Zhvillimit Rajonal, është koordinuar nga AREA Science Park of Trieste dhe zhvilluar në Rajonin e Friuli-t në Venezia në bashkëpunim me Autoritetin Portual Trieste si dhe me mbështetjen e qytetit të Triestes dhe Autoritetit Rajonal Giulia Friuli Venezia.

Shtatë qytete port europiane janë të përfshira: Lisbona, Malaga, Zadari, Rijeka, Ravenna, Durrësi dhe Trieste.