Ballina Aktualitet Durrës, politikat ekonomike dhe integrimi në BE në fokus të punës kërkimore...

Durrës, politikat ekonomike dhe integrimi në BE në fokus të punës kërkimore të Fakultetit të Biznesit të Universitetit “A. Moisiu” (VIDEO)

Sfidat me të cilat përballet ekonomia e vendit, në përpjekje për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ishin fokusi i punës kërkimore të stafit akademik të Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, punë kërkimore kjo që u prezantua gjatë Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Politikat Ekonomike & Integrimi në BE”.

Rreth 200 autorë, mes tyre më shumë se 50 të huaj nga universitete të 10 vendeve të ndryshme evropiane, janë bërë pjesë e konferencës, duke diskutuar mbi tema, që variojnë nga reformat ekonomike integruese në Bashkimin Evropian tek nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, debatimi i rolit të universitetit si inkubator i promovimit të bizneseve të reja etj. Prof. Asoc. Azeta Tartaraj, dekania e Fakultetit të Biznesit në Universitetin e Durrësit, thekson rolin e kësaj konference si një forum për të debatuar idetë, alternativat dhe zgjidhjet për problemet me të cilat përballet shoqëria.

Këtë vit, Konferenca Ndërkombëtare Shkencore “Politikat Ekonomike & Integrimi në BE” kishte edicionin e saj të nëntë, duke u shndërruar kështu në një qendër të debatimit dhe prezantimit të kërkimit shkencor në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar.

Punimet e konferencës u përshëndetën nga shumë të ftuar të veçantë, duke përfshirë këtu edhe Prof. Kseanela Sotirofski, rektorja e Universitetit të Durrësit.

Që nga viti 2009, kur ky takim pati edicionin e tij të parë, më shumë se 600 autorë kanë sjellë idetë e tyre, duke vendosur kështu një themel të fortë të ndërtimit të një marrëdhënie të shëndoshë mes Fakultetit të Biznesit në Universitetit të Durrësit dhe përpjekjeve për të avancuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.