Ballina Aktualitet Durrës, Policia Bashkiake vazhdon aksionin për parkingjet private

Durrës, Policia Bashkiake vazhdon aksionin për parkingjet private

Policia Bashkiake vijon lirimin e hapësirave publike në Durrës. Kujdes ku parkoni në Durrës, Policia Bashkiake vendos bllokues gome dhe gjoba.

Këtë të martë, Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Ndërmarrjen ”Rruga”, ka vazhduar punën për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga qytetarë të ndryshëm, të cilët duke abuzuar dhe me mënyra primitive, bëjnë rrethime me kunja hekuri, zinxhirë, kangjella apo me platforma betoni, për t’i përdorur apo improvizuar parkingje private në prona publike në mënyrë të paligjshme. Aksioni i radhës është mbajtur në lagjen nr. 4, te rrugët “Petraq Boshnjaku” dhe “Josif Pambuku”, për të vijuar në ditët në vazhdim me rrugë të tjera.

“Policia Bashkiake i’u bën thirrje të gjithë atyre që zaptojnë hapësira publike që të mos marrin iniciativa të tilla të paligjshme në dëm të qytetarëve që respektojnë ligjin dhe të interesit publik. Ne jemi të vendosur për të mos toleruar asnjë individ që shkel ligjin duke abuzuar me pronat publike”, thekson Çopa, i cili nënvizon nga ana tjetër se për abuzuesit dhe zaptuesit do të merren masa administrative me gjobë, deri dhe në ndjekje penale.

Policia Bashkiake është në shërbim të qytetarëve të saj dhe për t’iu ardhur në ndihmë në rast të ankesave dhe shqetësimeve që ata kanë, si dhe kur konstatojnë shkelje të ligjit, të telefonojnë sallën operative të Policisë Bashkiake ose të paraqiten vetë pranë zyrave të këtij institucioni.