Ballina Aktualitet Durrës, plani i ri i mbrojtjes së zonave arkeologjike i hap rrugën...

Durrës, plani i ri i mbrojtjes së zonave arkeologjike i hap rrugën ndërtimeve (VIDEO)

Qeveria i ka hapur dritën jeshile ndërtimeve edhe në zonat arkeologjike në qendër të Durrësit, të cilat më parë ishin krejtësisht të ndaluara. Nisur nga ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, i miratuar vitin e kaluar, Këshilli i Ministrave ka miratuar zonifikimin e qytetit të Durrësit, duke përcaktuar zonat “A” dhe “B” si zona, nëntoka e të cilave përmban gjurmë të trashëgimisë kulturore dhe historike.

Në vetvete, zonifikimi i nëntokës së Durrësit nuk përbën ndonjë risi, pasi edhe më parë nëntoka e Durrësit ka qenë e ndarë në zona, por vendimi i ri i qeverisë tashmë i ka hapur rrugë ndërtimeve, pas shqyrtimit dhe miratimit të projekteve respektive nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Arkeologia Eda Çekrezi bën të ditur ndryshimet, që në fakt ende nuk kanë nisur te implementohen.

Ky vendim i ri i qeverisë, krahas hapjes së rrugës për ndërtimet në dy zonat arkeologjike, do t’i hapë rrugë edhe procesit të legalizimeve, proces i cili deri tani ishte thuajse tërësisht i bllokuar.