Ballina Aktualitet Durrës, përkujtohet 74-vjetori i çlirimit

Durrës, përkujtohet 74-vjetori i çlirimit

Durrësi ka përkujtuar dhe nderuar sot veprën dhe sakrificat e atyre që u përpoqën dhe luftuan për çlirimin e qytetit nga pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qyteti bregdetar u çlirua më 14 nëntor 1944, datë kjo që shënoi sot edhe organizimin e një ceremonie të rastit në mjediset e Bashkisë së Durrësit.

Durrësi u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill 1939, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku Heroi i Popullit Mujo Ulqinaku ishte edhe dëshmori i parë i saj. Në këtë mënyrë, Durrësi u bë një ndër qytetet më të rëndesishëm të lëvizjes antifashiste.

Sot, me rastin e 74-vjetorit të çlirimit, në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Durrësit ishin mbledhur veteranë dhe familjarë të të rënëve në luftë për të evokuar epopenë e lavdishme të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Krahas tyre, në ceremoni merrnin pjesë edhe kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako, kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Nasto etj.

Pas përshëndetjes nga ana e drejtorit të arsimit dhe kulturës në Bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra, kryebashkiaku Dako ka shpërndarë çertifikata mirënjohje të akorduara për disa veteranë dhe familjarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit.

Më shumë se 28 mijë dëshmorë dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku edhe qyteti i Durrësit ka kontributin e vet të paçmuar.