Ballina Aktualitet Durrës, përkujtohen të rinjtë e internuar në kampet e nazizmit

Durrës, përkujtohen të rinjtë e internuar në kampet e nazizmit

Me rastin e 20 nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqëndrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako, kreu i Këshillit të Qarkut të Durrësit, Alfred Mullaraj, deputetë, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qendror, veteranë të luftës etj.

Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit.

Në mëngjesin e 20 nëntorit 1943, qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre. Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku sot ndodhet edhe lapidari, dhe më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane, duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes, si në Prishtinë, Mathauzen, Dakau etj.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pasi kreu homazhet dhe vendosi kurorë me lule në lapidarin që përkujton patriotët durrsakë, deklaroi se sakrificat e këtyre njerëzve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Durrësit dhe të krejt vendit do të përkujtohen me nderim në çdo kohë.