Ballina Aktualitet Durrës, përkeqësimi i motit, masa për sigurinë në port

Durrës, përkeqësimi i motit, masa për sigurinë në port

Përkeqësimi i motit gjatë ditës së sotme dhe të nesërme ka bërë që Kapiteneria e Portit të Durrësit të njoftojë marrjen e masave për të garantuar sigurinë e vetë portit dhe të mjeteve lundruese. Gjatë 48 orëve në vijim, bregdeti ynë do të perfshihet nga era e fortë me drejtim veri-lindje dhe forca e detit do të jetë deri në 7 ballë. Për këtë arsye, me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kapiteneria e Portit të Durrësit ka urdhëruar marrjen e masave të veçanta nga të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë.

Aktualisht, në Portin e Durrësit nuk ka pasur probleme. Gjithsesi, lundrimi i mjeteve të vogla detare dhe i motopeshkatoreve është ndaluar, ndërkohë që janë marrë masa shtesë edhe për të garantuar sigurinë e mjeteve detare të ankoruara dhe të mjeteve të punës në port.

Moti i keq ka goditur bregjet italiane më herët se ato shqiptare. Mësohet se dy tragetet e nisura mbrëmë në mesnatë nga Porti i Durrësit drejt Barit ende nuk janë ankoruar. Tragetet “AF Francesca” dhe “Bari”, të cilët duhet të ankoroheshin sot në mëngjes, gjenden ende në radën e jashtme të portit në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.