Durrës, pas vendimit të Gjykatës Administrative, rifillon puna për projektin “Veliera” (VIDEO)

107

Pasi Gjykata Administrative pushoi çështjen, firma kontraktuese ka nisur punën për përfundimin e projektit “Veliera”, në Durrës.

Pak ditë më parë, Gjykata Administrative e Apelit vendosi të hedhë poshtë padinë e ngritur nga shoqëria civile, duke i hapur kështu rrugë përfundimit të projektit. Kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve ka ringritur tashmë kantierin e ndërtimit, ndërkohë që punëtorët kanë nisur përgatitjet për instalimin e tendës, e cila ka formën e velës, që i ka dhënë edhe emrin gjithë projektit.

Zbatimi i projektit “Veliera” nisi në fillim të vitit 2017 dhe fondi i akorduar nga Bashkia e Durrësit dhe buxheti i shtetit ishte rreth 6 milionë dollarë. Por, punimet u bllokuan pas një padie të shoqërisë civile, për shkak të rrënojave arkeologjike që dolën në dritë gjatë gërmimeve. Megjithatë, pas një kalvari të gjatë në dyert e gjykatave, drejtësia vendosi që projekti të vijojë deri në ndërtimin e plotë.

Për këtë arsye, tani, me heqjen e të gjitha pengesave, në sheshin e ndërtimin ka rinisur puna. Projekti “Veliera”, në thelb, parashikon ndërtimin e një sheshi në fund të Bulevardit “Epidamn” dhe mbi shesh do të ngrihet edhe një tendë, me sipërfaqe 2 400 metra katrorë, e cila simbolizon velat e anijeve të dikurshme dhe lidhjen tradicionale të Durrësit me detin.