Ballina Aktualitet Durrës, organizohet ceremonia e 106-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë (video)

Durrës, organizohet ceremonia e 106-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë (video)

Bashkia e Durrësit ka organizuar sot ceremoninë solemne, në përkujtim të ngritjes së flamurit kombëtar më 26 nëntor të vitit 1912. Në këtë ceremoni, krahas kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, prefektit Roland Nasto dhe kryetarit të Këshillit të Qarkut, Alfred Mullaraj, ishin të pranishëm edhe deputetë, familjarë të atdhetarëve që pritën Ismail Qemalin në Durrës, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë të Durrësit.

Pas tingujve të himnit kombëtar, në mënyrë simbolike dhe në kujtim të aktit që kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, kreu më 26 nëntor të vitit 1912, kryebashkiaku Dako ngriti flamurin kuqezi në qendër të Sheshit “Liria”.

Fjalën e rastit e mbajti prefekti Roland Nasto, i cili theksoi se ngritja e flamurit është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e Durrësit.

Akti i ngritjes së flamurit dhe i shpalljes së pavarësisë nga patriotët durrsakë ishte vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë të emancipimit të kombit shqiptar.