Ballina Aktualitet Durrës, nxitja e marrëdhënieve ekonomike, Turqia hap konsullatë

Durrës, nxitja e marrëdhënieve ekonomike, Turqia hap konsullatë

Konsullata e nderit e Turqisë, e para përfaqësi diplomatike turke në rrethe, është hapur në Durrës. Interesimi i madh i bizneseve turke që operojnë në Portin e Durrësit, ka rritur edhe nevojën e shtetasve turq për shërbime konsullore sa më pranë zonës ku veprojnë. Sipas ambasadorit turk në vendin tonë Murat Ahmet Yörük, pas Tiranës, Durrësi me portin më të madh në vend, është qyteti me më shumë lëvizje dhe ku ndodhet një prani e rëndësishme e biznesit turk.

“Durrësi është një pikë e rëndësishme strategjike ku kryqëzohen të gjitha llojet e transportit. 10 përqind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit, më i madhi në vend, vijnë nga Turqia,” – tha diplomati i huaj gjatë ceremonisë së përurimit të konsullatës.

Diplomati turk bëri të ditur se detyrë e konsullatës së Durrësit do të jetë bashkëpunimi me autoritetet vendore dhe ndjekja e çështjeve të shtetasve turq, përfshirë dhe ekuipazhet me marinarë turq të anijeve që veprojnë e jetojnë në zonën e Durrësit. Hapja e kësaj përfaqësie diplomatike vlerësohet si një mundësi që do t’i çojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe do të mbrojë interesat e përbashkëta të shtetasve turq, po edhe të atyre shqiptarë që kanë lidhje biznesi apo familjare me ta.