Ballina Aktualitet Durrës, protesta e studentëve, mblidhet Senati Akademik i Universitetit të Durrësit

Durrës, protesta e studentëve, mblidhet Senati Akademik i Universitetit të Durrësit

Pas protestës 10-ditore të studentëve të cilët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre, Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka mbajtur një mbledhje ditën e sotme ku janë marrë 6 vendime.

Njoftimi i plotë:

Në mbështetje të Ligjit Nr.80/2015 datë 17.09.2015 “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të Vendimit të Këshillit Ministrave nr. 685, datë 25.08.2010 “Për riorganizimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës”, të ligjit 8480, datë 27.05.1990 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të Administratës shtetërore dhe enteve publike“, të Statutit dhe Rregullores së Universitetit, Senati Akademik në mbledhjen e hapur të datës 14.12.2018, me pjesëmarrjen e Këshillit Studentor dhe studentëve të ekselencës, duke shprehur njëzëri mbështetjen e plotë për kërkesat e paraqitura nga protesta studentore,

Vendosi:

T’i kërkojë Administratorit të Universitetit “Aleksandër Moisiu“ Durrës, nxjerrjen e kostos për përgjysmimin e tarifave të studimit për t’iu drejtuar më pas Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) për rritjen e buxhetit të Universitetit “Aleksandër Moisiu“ Durrës sipas kësaj kostoje.

Heqjen e menjëhershme të çdo pagese shtesë nga ana e studentëve për tërheqjen e vërtetimeve apo dokumentave të tjera nga Sekretaritë Mësimore.

Krahas mbështetjes aktuale, të inkurajojë proçedurialisht dhe financiarisht përfshirjen e vazhdueshme të studentëve në kërkimin shkencor brenda dhe jashtë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Të ftojë Këshillat Studentorë dhe studentët ekselentë në diskutimet për buxhetin e ardhshëm të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, si dhe në çështje të tjera që lidhen me proçesin mësimor dhe arritjen e standardeve më të larta akademike.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen:

Administratori, Zv.Rektorët, Dekanët e Fakulteteve, Drejtorët e Drejtorive

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.