Durrës, mbërrin 5 milionë euro kokainë në kontenierin me banane nga Ekuadori

36

Një sasi prej 49 kilogramë kokaine është sekuestruar në Portin e Durrësit dhe që vinte nga Ekuadori. Sipas policisë, lënda narkotike ishte fshehur në një kontenier të mbushur me banane. Në tregun e zi kjo sasi kokaine e pastër kap vlerën së paku pesë milionë euro.

Operacioni për kapjen e kokainës është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike.

Policia tha se kishte marrë të dhëna në rrugë operative se në një kontenier fshihej sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë. Ndaj ajo organizoi operacionin e koduar “Mersin” për të kapur drogën e fortë.

Natën duke gdhirë dita e sotme u ushtruar kontroll i imtësishëm në disa kontenierë dhe u bë e mundur që në njërin prej tyre të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Kontenieri ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç.,

Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., banues në Sauk, Tiranë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Për arsye hetimore nuk jepen detaje të tjera rreth operacionit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.