Ballina Aktualitet Durrës, masa nga Policia e Shtetit dhe Kapiteneria e Portit për fluksin...

Durrës, masa nga Policia e Shtetit dhe Kapiteneria e Portit për fluksin e udhëtarëve

Policia e Shtetit dhe Kapiteneria e Portit të Durrësit kanë nisur zbatimin e masave të veçanta për të përballuar fluksin e lartë të emigrantëve që kthehen në Atdhe për festat e fundvitit. Në një takim të organizuar sot nga Prefekti i Qarkut të Durrësit në lidhje me gadishmërinë e institucioneve publike në ditët e fundit të vitit, drejtorja e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Durrës, Lindita Nushi, vuri në dukje shtimin e numrit të sporteleve dhe efektivave, me qëllim përpunimin në kohë sa më të shpejtë të udhëtarëve.

Në këto ditë të fundit, duke iu përgjigjur numrit të lartë të udhëtarëve, shoqëritë e lundrimit kanë shtuar numrin e trageteve në linjat Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës. Në këtë drejtim, masat e Kapitenerisë së Portit janë përqëndruar kryesisht tek garantimi i kushteve për ankorimin dhe lundrimin sa më të mirë dhe pa vonesa të trageteve.