Ballina Aktualitet Durrës, LSI bashkon votat me PS, miratohet buxheti i vitit 2019 (VIDEO)

Durrës, LSI bashkon votat me PS, miratohet buxheti i vitit 2019 (VIDEO)

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar mbrëmë buxhetin e vitit 2019, pavarësisht se në sallë mungonin këshilltarët e Partisë Demokratike. Ka qenë prania e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim që ka mundësuar si arritjen e kuorumit të nevojshëm, ashtu edhe shumicën e votave për miratimin e buxhetit.

Në mungesë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, mbledhja e Këshillit Bashkiak ka proceduar shpejt dhe pa shumë debate. Pas diskutimeve të para, projekt-vendimi për buxhetin e vitit të ardhshëm është hedhur në votë, duke marrë miratimin e 27 këshilltarëve.

Në total, buxheti i vitit të ardhshëm i Bashkisë së Durrësit arrin në rreth 23 milionë euro, ku pjesa më e madhe e investimeve publike është parashikuar të shkojë për rehabilitimin e shkollave dhe çerdheve, rikonstruksionin e disa rrugëve, si edhe për ndërtimin e një shëtitore tërësisht të re në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka 51 anëtarë dhe mbledhja mund të zhvillohet vetëm nëse në sallë janë të pranishëm të paktën 26 prej tyre. Partia Socialiste dhe aleantët e saj kanë 16 këshilltarë dhe, pa praninë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike, mbledhja ishte e destinuar të dështonte. Por, prania e një pjese të këshilltarëve të opozitës ka bërë që mbledhja jo vetëm të zhvillohet, por edhe të miratohet buxheti, pasi këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim iu bashkuan atyre socialistë.