Ballina Ekonomi / Biznes Durrës, kryeministri Rama njofton fillimin e financimeve për bujqësinë nga programi IPARD

Durrës, kryeministri Rama njofton fillimin e financimeve për bujqësinë nga programi IPARD

Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot fillimin e aplikimeve nga fermerët për përfitimin e financimeve nga fondet e Bashkimit Evropian përmes programit IPARD. Kreu i ekzekutivit ishte sot i pranishëm në një takim me banorë të fshatit Shkallnur, në Durrës, ku ka bërë të ditur se fondet e vëna në dispozicion nga programi IPARD arrijnë në rreth 94 milionë euro.

Fondet e programit IPARD shërbejnë për të mbështetur pjesërisht iniciativat e fermerëve për projektet e tyre në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillimin rural.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Rama theksoi rëndësinë e fondeve të IPARD për ecurinë e programit të qeverisë në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizëm. Kryeministri nuk la pa falenderuar partnerët e delegacionit të BE, të cilët ndihmuan për t’ia arritur realizimit final të një marrëveshjeje e cila nuk ishte aspak e lehtë.

Për të përfituar financime nga fondet e programit IPARD, fermerët duhet paraprakisht të hartojnë një projekt për investmin që duan të realizojnë, shoqëruar me burimet e veta financuese dhe arsyetimin e nevojës për investime të mëtejshme. Projektet duhet më pas të dorëzohen tek njësia e veçantë, që funksionin pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.