Ballina Aktualitet Durrës, kryebashkiaku Dako pret në takim komandantin e fregatës turke Ahmet Burak...

Durrës, kryebashkiaku Dako pret në takim komandantin e fregatës turke Ahmet Burak Adeli

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka pritur në një takim komandantin e fregatës turke “TCG Orucreis”, kapitenin e rangut të parë Ahmet Burak Adeli, i shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak i Turqisë në vendin tonë, koloneli Şakir Cumhur Somer, dhe oficerë të tjerë të ekipazhit të anijes.

Fregata turke “TCG Orucreis” ka ardhur në Portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh për vitin 2018 midis Forcës Detare të vendit tonë dhe Forcës Detare të Turqisë.

Komandanti i fregatës turke Ahmet Burak Adeli dhe anëtarët e tjerë të delegacionit i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës, qytet i cili i ka lënë mbresë ushtarakëve turq. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij, pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj anijeje, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu, ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe ushtarake, që ka qyteti ynë.

Më pas, komandanti i anijes dhe oficerët e tjerë kanë zhvilluar vizita në institucionet kulturore të qytetit, si Muzeu Arkeologjik, amfiteatri etj.