Ballina Aktualitet Durrës, kryebashkiaku Dako pret në takim ambasadorin turk Murat Ahmet Yörük

Durrës, kryebashkiaku Dako pret në takim ambasadorin turk Murat Ahmet Yörük

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka pritur dje pasdite në takim ambasadorin turk Murat Ahmet Yörük. Ambasadori turk deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, por tashmë duhet thelluar bashkëpunimi konkret midis qyteteve. Ambasadori Ahmet Yörük deklaroi se rritja e bashkëpunimit ekonomik e kulturor midis qyteteve shqiptare dhe atyre turke do të jetë edhe një nxitje më tepër për biznesin turk që të investojë në Shqipëri dhe do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve turistike.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Dako ka mbështetur idenë e ambasadorit turk për hapësira të reja konkrete bashkëpunimi, duke shprehur gadishmërinë për një binjakëzim midis Durrësit dhe një qyteti bregdetar turk të ngjashëm me qytetin tonë. Sipas kryebashkiakut Dako, binjakëzimi me një qytet të rëndësishëm turk do të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike, turistike e kulturore dhe do të shërbejë për një nxitje akoma më të madhe që bizneset turke të investojnë në Durrës.