Ballina Kronikë Durrës, kapen dy hajdutët e pikës së pagesës së faturave

Durrës, kapen dy hajdutët e pikës së pagesës së faturave

Policia e Shtetit në Durrës ka arritur të zbardhë vjedhjen e pak ditëve më parë të një pike ku paguheshin gjobat e Policisë Rrugore, duke ndaluar edhe dy autorët e dyshuar për këtë vepër penale. Burimet zyrtare policore në Durrës bëjnë të ditur se personat e ndaluar janë Xhani Ymeri, 30 vjeç, dhe Ekilian Bibi, 27 vjeç, që të dy banues në Durrës.

Njëkohësisht, mësohet se personat e mësipërm janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera.

Pika ku paguheshin gjobat e Policisë Rrugore dhe faturat e tjera, e cila ra pre e vjedhjes, gjendet ngjitur me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në Durrës.

Nga veprimet hetimore të kryera, specialistët e Policisë së Shtetit kanë dokumentuar me prova shkencore se personat e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë edhe të vjedhjes, më 27 nëntor, të dhomës së imazherisë në Spitalin Rajonal të Durrës, ndërkohë që, më 30 nëntor, kanë vjedhur edhe një banesë në Lagjen 8.

Sa i përket vjedhjes së pikës ku paguheshin gjobat e Policisë Rrugore, dy personat e dyshuar kanë hyrë të maskuar, duke vjedhur nga arka shumën e 20 000 lekëve.