Ballina Aktualitet Durrës, homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve me rastin e ditës së çlirimit...

Durrës, homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve me rastin e ditës së çlirimit (VIDEO)

Me rastin e 29 nëntorit, ditës së çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë, Bashkia e Durrësit ka organizuar homazhe pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, prefekti Roland Nasto, kreu i Këshillit të Qarkut, Alfred Mullaraj, deputetët socialistë të Durrësit dhe dhjetra veteranë kanë vendosur kurora me lule në varret e të rënëve për lirinë e Atdheut.

Kryebashkiaku Dako, me këtë rast, u shpreh se më 29 nëntor, “i gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë edhe jetën e tyre për të.”

Durrësi ka qenë në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar ku filloi edhe epopeja e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.