Ballina Kronikë Durrës, grabitet Drejtoria e Transportit Rrugor në Shkozet

Durrës, grabitet Drejtoria e Transportit Rrugor në Shkozet

Tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur një shumë prej afro 7,5 milionë lekë të reja nga automjeti i një shoqërie të ruajtjes dhe sigurisë fizike, i cili ishte duke transportuar sasinë e parave të arkëtuara nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 minuta, në Shkozet, fare pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga ku automjeti sapo kishte dalë. Në fund të çdo dite pune, Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës bën transferimin e arkëtimeve të mbledhura nga qytetarët në formë taksash dhe tarifash për automjetet që kanë pronësi drejt një banke të nivelit të dytë. Sipas burimeve nga vendngjarja, transferimi kryhej nga shoqëria e ruajtjes dhe sigurisë fizike Nazeri shpk, dhe pikërisht automjeti i kësaj shoqërie është bërë objekt grabitje.

Personat e armatosur dhe të maskuar i kanë zënë rrugën automjetit që transportonte paratë, kanë neutralizuar rojet e sigurisë dhe kanë grabitur shumën e parave.

Incidenti nuk është shoqëruar me viktima.

Mësohet se grabitësit janë larguar në drejtim të Shijakut, ndërkohë që Policia e Shtetit ka marrë masa për kontrollin e akseve kryesore rrugore të zonës. Sasia e parave të grabitura prej afro 7,5 milionë lekë të reja është konfirmuar nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës.