Ballina Aktualitet Durrës, gjykata liron të gjithë policët e dyshuar për korrupsion

Durrës, gjykata liron të gjithë policët e dyshuar për korrupsion

Pavarësisht se ndalimi i tyre dy ditë më parë është konsideruar i ligjshëm, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës i ka liruar të gjashtë policët, efektivë të Policisë së Kufirit dhe Migracionit me detyrë pranë Portit të Durrësit. Ata akuzohen për veprat penale të korrupsionit pasiv, vepër penale kjo e kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike, dhe të shpërdorimit të detyrës.

Arrestimi i tyre u bë në funksion të hetimeve penale të nisura që vitin e kaluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat i Ministrisë së Brendshme, ku gjashtë efektivat dyshohet se, përkundrejt rryshfetit, kanë lejuar kalimin e kufirit drejt vendeve të Bashkimit Evropian nga persona që nuk duhet të ishin lejuar.

Sot, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës është zhvilluar seanca e vlerësimit të masës së sigurisë, ku ndaj njërit është vendosur masa e arrestit në shtëpi, ndërsa ndaj pesë të tjerëve u vendos masa e detyrimit për paraqitje pranë Policisë Gjyqësore.

Në këto kushte, efektivët Greta Batusha, Durim Zeka, Arjan Gjyzeli, Dorina Doganaj, Gëzim Çaça dhe Juliana Kurraj kanë lënë sot qelitë e paraburgimit, ndërkohë që hetimi ndaj tyre vazhdon.