Ballina Aktualitet Durrës, Fakulteti i Biznesit të Universitetit “A. Moisiu” çel Javën Ndërkombëtare Shkencore

Durrës, Fakulteti i Biznesit të Universitetit “A. Moisiu” çel Javën Ndërkombëtare Shkencore

Fakulteti i Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka çelur sot Javën Ndërkombëtare Shkencore, një prej aktiviteteve më të rëndësishme në kalendarin e vet që kulmon me organizimin e Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Politikat Ekonomike & Integrimi në BE”.

Në këndvështrimin e Prof. Asoc. Azeta Tartaraj, dekane e Fakultetit të Biznesit, aktiviteti i Javës Ndërkombëtare Shkencore ka për qëllim “të promovojë dhe të thellojë bashkëpunimin në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar, të konsolidojë lidhjet dhe marrëdhëniet me partnerët e ndryshëm, si edhe të forcojë rolin e trupës akademike të Fakultetit të Biznesit si një qendër kërkimore-shkencore në funksion të zhvillimit të të gjithë shoqërisë.”

Në vijim të Javës Ndërkombëtare Shkencore do të zhvillohen disa seminare mbi marketingun dixhital, zhvillimin e qëndrueshëm, idetë e reja të biznesit, thellimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të studentëve dhe stafeve akademike në kuadër të programeve të ndryshme të Bashkimit Evropian, siç janë programet Tempus dhe Erasmus. Pjesë e aktivitetit do të jenë edhe disa leksione të hapura nga Prof. Howard Moskowitz nga Shtetet e Bashkuara, një nga personalitetet e njohura në fushën e studimit të tregut dhe fitues i çmimeve ARF Research Innovation dhe Market Research Council Hall of Fame, dhe Prof. Edward Bace nga Universiteti i Middlesex në Angli.

Ndërkohë, për dy ditë me radhë, më 3 dhe 4 maj, zhvillon punimet edhe Konferenca Ndërkombëtare Shkencore e Fakultetit të Biznesit “Politikat Ekonomike & Integrimi në BE”, e cila këtë vit është në edicionin e saj të nëntë. Rreth 200 autorë, mes tyre më shumë se 50 të huaj nga universitete të 10 vendeve të ndryshme evropiane, do të marrin pjesë me punimet e tyre mbi tema, që variojnë nga reformat ekonomike integruese në Bashkimin Evropian tek nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, debatimi i rolit të universitetit si inkubator i promovimit të bizneseve të reja etj.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit çeli dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007 dhe sot numëron rreth 20 mijë studentë në të tre ciklet e studimit. Fakulteti i Biznesit është një prej njësive më të mëdha dhe më të konsoliduara, duke u shndërruar edhe në një promotor të lidhjes së vetë universitetit me alternativat e zgjedhjes së sfidave me të cilat përballet vendi dhe shoqëria.