Ballina Kronikë Durrës, “eksplozivi” tek makina e drejtorit të Hekurudhave Shqiptare, kërcënim apo shaka...

Durrës, “eksplozivi” tek makina e drejtorit të Hekurudhave Shqiptare, kërcënim apo shaka pa kripë?!

Policia e Shtetit në Durrës ka konfirmuar se bidoni që Ani Dyrmishi, drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, gjeti sot në mëngjes poshtë makinës së tij ishte i mbushur vetëm me nitrat dhe, rrjedhimisht, nuk mund të shpërthente. Megjithatë, duke qenë se nitrati është një nga përbërësit e thuajse çdo lënde plasëse, prania e tij poshtë makinës së Dyrmishit përmban një mesazh, i cili mund të jetë si kërcënim, ashtu edhe shaka fare pa kripë, dhe Policia e Shtetit vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.

Mësohet se, pas verifikimeve përkatëse, në bidon nuk kishte as bateri dhe as kapsolla ndezës. Kjo do të thotë se, teknikisht, bidoni nuk përbën as lëndë plasëse dhe as bombë. Në këto kushte, qëllimi i personit ose personave që kanë vendosur bidonin ka qenë më së shumti trembja e drejtorit të përgjithshëm të Hekurudhave Shqiptare.

Pavarësisht se vetë Dyrmishi është shprehur se “nuk kam konflikte me persona të tjerë, unë në të gjithë Durrësin eci në këmbë,” autoritetet janë duke hetuar çdo mundësi të konflikteve që mund të kenë lindur nga detyra e tij.