Ballina Aktualitet Durrës, dy herë investime në rrugën e Sektorit “Rinia”, KLSH kërkon penalitete...

Durrës, dy herë investime në rrugën e Sektorit “Rinia”, KLSH kërkon penalitete ndaj firmave kontraktore (VIDEO)

140 milionë lekë ka investuar Bashkia e Durrësit, në vitin 2014 dhe 2016, për rikonstruksionin e rrugës së Sektorit “Rinia”, por ajo sot përsëri është në gjendje tejet të amortizuar. Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon masa ndëshkuese nga firmave që kryen punimet.

Ky segment rrugor, rreth 7 kilometra i gjatë, që lidh qytetin e Durrësit me bregdetin e Gjirit të Lalëzit, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Por, ajo çfarë realiteti tregon sot është krejt i ndryshëm nga pritshmëritë. Banorët e zonës dhe drejtuesit e automjeteve ankohen për gjendjen në të cilën ajo ndodhet.

Në vitin 2014, për rregullimin e kësaj rruge u akorduan 40 milionë lekë, ndërkohë që, në vitin 2016, Bashkia e Durrësit akordoi edhe 100 milionë lekë të tjera. Gjendja e rrugës sot ka bërë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të shqyrtojë në imtësi tenderat e kryer dhe projektet e zbatuara për rehabilitimin e këtij segmenti automobilistik.

Auditimi i kryer ka zbuluar një sërë shkeljesh, ku firmat fituese të tenderave nuk kanë zbatuar kushtet e kontratave. Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Bashkisë së Durrësit që të ndjekë rrugët ligjore, me qëllim që dy firmat private të kthejnë paratë për punët e pakryera.