Ballina Aktualitet Durrës, drogë dhe klandestinë të ndaluar në port

Durrës, drogë dhe klandestinë të ndaluar në port

Policia Kufitare vijon zbatimin e masave shtesë në kontrollin e mjeteve dhe dokumentacionin e udhëtarëve. Gjatë 24 orëve të fundit në portin e Durrësit është kapur një kamion në brendësi të të cilit kishte 5 kg e 300 gr lëndë narkotike.

Është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër. Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë tre shtetas të huaj, të cilët janë kapur duke kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara.

Bëhet fjalë për shtetasin T.H, 31 vjeç, banues në Durrës (drejtuesi i kamionit) dhe është shpallur në kërkim shtetasi E.H.

Në ngarkim të shtetasve të mësipërm materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve “.

Gjithashtu , si rezultat i kontrolleve të dokumentacionit të udhëtarëve janë arrestuar në flagrancë tre shtetas të huaj me dokumente të dyshuara të falsifikuara, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme, konkretisht shtetasi V.E, 30 vjeç, dhe S.A, 43 vjeç, banues në Turqi si dhe R.A, 32 vjeçe, banuese në Filipine.

Në ngarkim të shtetasve të mësipërm materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” parashikuar në nenin 189 të Kodit Penal. Policia Kufitare vijon punën për të goditur paligjshmërinë në kufi duke forcuar kontrollet për verifikimet kufitare.