Ballina Aktualitet Durrës, defekti në traget, pasagjerët për tri orë në det të hapur

Durrës, defekti në traget, pasagjerët për tri orë në det të hapur

280 pasagjerë të tragetit “Rigel 1” kanë kaluar tre orë ankthi në det të hapur mbrëmjen e shkuar, si pasojë e një defekti i cili ka ndodhur afër Italisë, e mësohet se trageti do të mbërrijë në Durrës rreth pasdites.

Kapiteni i portit Taulant Allka bëri me dije se një problem me paketën e kontrollit brenda në tragetin e linjës Durrës-Bari, ka bërë që trageti të pësojë black out në orën 03:00 të mëngjesit. Kapiteni ka ndezur manualisht një prej motorrëve duke sjellë energjinë elektrike për pasagjerët e traumatizuar e në panik.

Kapiteni i tragetit ka qëndruar për rreth tre orë në det të hapur deri sa të bëhej e mundur ftohja e motorrëve, për të ndërhyrë në riparimin e defektit në sistemin e kontrollit. Por aspak favorizues nuk ka qenë as moti. Si rezultat i erës së fortë trageti është zhvendosur drejt Barit ndërsa ishte nisur mbrëmë nga Bari në drejtim të Durrësit.

Avaria e pësuar ka bërë që pasagjerët të qëndrojnë në det të hapur deri në riparimin e defektit, një pjesë e të cilëve e kanë denoncuar tek autoritetet italiane. Guardia di Finanza dhe roja bregdetare italiane kanë qenë në gadishmëri për të ndërhyrë në rast rrezik mbytjeje. Rreth orës gjashtë të mëngjesit trageti është nisur pas vënies në funksion e riparimit të defektit. Pritet që trageti të ankorohet në orën 16:00 në portin e Durrësit, me 280 pasagjerët dhe 40 automjetet që gjenden në të.