Ballina LAJME Durrës, Dako i përgjigjet Bashës: S’ta kam fajin unë që nuk të...

Durrës, Dako i përgjigjet Bashës: S’ta kam fajin unë që nuk të voton njeri

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka reaguar ndaj postimit të liderit të opozitës Lulzim Basha në Twitter, duke thënë se reagimi i kreut të Partisë Demokratike ishte thjesht rrjedhojë e humbjeve të njëpasnjëshme të demokratëve në Durrës.

Kryebashkiaku durrsak ka zgjedhur profilin e tij në Facebook për t’iu përgjigjur Bashës. Në postimin e tij të pak çasteve më parë, Dako thotë: “O Lulëzim Basha! Ti duhet t’i harrosh Durrësin, Shijakun dhe Krujën. Sepse dikur edhe votonin për Saliun e për PD, po për toçin e Saliut votojnë vetëm nostalgjikët e PD dhe aq!”

Dako i ka konsideruar shpifje deklaratat e liderit demokrat, duke theksuar: “Hidhu përpjetë sa të dush me kaseta me telefonata e me sajesa vemjesh.” “Mua më besojnë se ju hap telefonin të gjithëve dhe s’i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote! Ti vazhdo dil e shpif përditë jo krimi, jo droga, jo leku, jo byreku, se ka ardh koha t’i marr edhe ca lekë unë nga thesi që të mban kunati ty. Do shihemi në gjyq bashkë ose në fakt jo, se ti merr raport mjekësor kur të thërret gjykata. Toç!” – mbyll postimin e tij në Facebook kryebashkiaku durrsak Dako.