Ballina Aktualitet Durrës, besimtarët orthodhoksë dhe katolikë kremtojnë Krishtlindjen (VIDEO)

Durrës, besimtarët orthodhoksë dhe katolikë kremtojnë Krishtlindjen (VIDEO)

Dita e madhe e Krishtlindjes ka mbledhur besimtarët e krishterë orthodhoksë dhe katolikë të Durrësit pranë kishave të tyre respektive. Pranë Kishës së Shën Dominikut, besimtarët katolikë morën pjesën në meshën e shenjtë, ku edhe njëherë u nënvizua roli i Jezu Krishtit në afirmimin e vlerave dhe moralit njerëzor.

25 dhjetori shënon ditëlindjen e Jezu Krishtit, një nga festat më të dashura për besimtarët e krishterë për vetë faktin se është edhe dita që simbolizon paqen dhe shpëtimin.

Këtë festë të madhe e kanë kremtuar edhe besimtarët e krishterë orthodhoksë, të mbledhur në meshën e shenjtë në Kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit. Në këtë ditë të shënuar, besimtarët orthodhoksë kanë pritur edhe urimet e rastit. Përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendore, deputetë, përfaqësues të forcave politike, të shoqërisë civile dhe të komuniteteve të tjera fetare kanë përcjellë urimet e tyre. Në këtë ditë, prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Nasto, përcolli urimin e tij për të gjithë besimtarët e krishterë.