Ballina Aktualitet Durrës, bashkëpunimi ushtarak, nëndetësja turke viziton portin

Durrës, bashkëpunimi ushtarak, nëndetësja turke viziton portin

Nëndetësja turke TCG Gur ka prekur sot në mesditë Portin e Durrësit, ku do të qëndrojë për disa ditë, si pjesë e veprimeve të përbashkëta ushtarake shqiptaro-turke në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe forcimit të sigurisë në rajon.

Nëndetësja, teksa ankorohej në Portin e Durrësit, u prit nga ushtarakë të lartë të Shtabit të Forcës Detare të Forcave të Armatosura të vendit tonë dhe nga atasheu ushtarak i Turqisë në Tiranë, Kol. Şakir Cumhur Somer.

Nëndetësja TCG Gur është pjesë e një flote prej katër nëndetësesh të tilla që Turqia zotëron, të prodhuara nga viti 2003 deri në vitin 2007. Kjo nëndetëse, me gjatësi 62 metra dhe me ekipazh prej 45 oficerësh dhe marinarësh, është një mjet detar i nënujshëm i llojit sulmues, pasi është e pajisur me silurë dhe raketa kundër anijeve. Nëndetësja TCG Gur dhe simotrat e saj janë derivate të nëndetëses gjermane Tip 209/1400 dhe janë prodhuar nga kantjeri gjerman Howaldtswerke-Deutsche Werft në Kiel dhe kantjeri turk Golcuk Donanma Tersanesi në Kocaeli.